Shtatë eurodeputetë do ta vizitojnë Kosovën, shkak vlerësimi i marrëdhënieve me Serbinë

0
1

 3 minuta më parë0 Shkepje    

Parlamenti Evropian do të dërgojë një delegacion të eurodeputetëve në Beograd dhe Prishtinë nga data 27 shkurt deri më 2 mars për të vlerësuar situatën politike dhe për të vlerësuar marrëdhëniet e BE-së me Serbinë dhe Kosovën.

“Një delegacion prej shtatë eurodeputetëve, i udhëhequr nga Kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe raportuesi për Serbinë, David McAllister (PPE, DE), do të takohet me lidershipin politik në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me deputetë, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile. Qëllimi i vizitës është vlerësimi i situatës politike në terren dhe vlerësimi i marrëdhënieve të tanishme të Serbisë dhe Kosovës me BE-në, duke përfshirë reformat e dakorduara në mënyrë reciproke dhe dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës.

Më 29 nëntor të vitit të kaluar, Parlamenti Evropian ka miratuar dy rezoluta për Serbinë dhe Kosovën. Në këto rezoluta, eurodeputetët kanë mirëpritur angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në rrugën e integrimit në BE, megjithëse gjithashtu i kanë kërkuar autoriteteve të rritin përpjekjet për reforma në sundimin e ligjit, të intensifikojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të vazhdojnë me reformat e administratës publike të vendit”, thuhet në njoftimin për media.

Sa i përket Kosovës, eurodeputetët kanë mirëpritur miratimin e legjislacionit të kohëve të fundit, por kanë shprehur shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimin e vazhdueshëm politik, që vazhdon të ndikojë negativisht në rrugën e reformës së qëndrueshme.

“Ata gjithashtu kërkuan përpjekje më të mëdha në luftën kundër korrupsionit të përhapur, për të trajtuar elementet e kapjes së shtetit dhe ndikimin e panevojshëm politik dhe problemet e vazhdueshme me një proces të rregullt. Në të dy rezolutat, eurodeputetët kanë mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës. Duke marrë parasysh debatin e kohëve të fundit mbi shkëmbimet e mundshme të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, eurodeputetët theksuan se shtetet etnikisht homogjene nuk duhet të jenë objektiv në rajon dhe se çdo marrëveshje e ardhshme do të ishte e pranueshme vetëm nëse arrihet pajtimi i ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës dhe nëse merr parasysh stabilitetin e përgjithshëm në rajon dhe ligjin ndërkombëtar”, thuhet më tej në njoftimin për media.

Kjo vizitë pritet të trajtojë disa nga temat e theksuara në rezolutat e PE të miratuara në nëntor të vitit 2018, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Përpara vizitës,McAllister tha: “Javën e ardhshme, Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian po dërgon dy delegacione në Ballkanin Perëndimor – këto me gjasë do të jenë dy misionet e fundit të këtij komiteti në këtë legjislaturë. Ballkani Perëndimor është prioritet për politikën e jashtme të BE-së.Duhet të mbështesim Serbinë dhe Kosovën në ndërtimin e institucioneve të forta demokratike që mbështesin sundimin e ligjit dhe mundësojnëlulëzimin e shoqërisë civile.Mbi të gjitha, duhet të arrijmë marrëdhënie të mira fqinjësore midis të gjitha vendeve të rajonit, duke shfrytëzuar momentumin e suksesit në Maqedoninë e Veriut. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe zhvillimeve në Serbi dhe Kosovë dhe aspiratave të qytetarëve të tyre, prandaj po vijmë të takohemi si me udhëheqësit politikë ashtu edhe me shoqërinë civile në këtë periudhë vendimtare”.

Përveç McAllister, delegacioni i PE-së do t përbëhet edhe nga gjashtë eurodeputetë:
Elmar Brok (EPP, DE), Neena Gill (S&D, UK), Arne Lietz (S&D, DE), Ryszard Czarnecki (ECR,PL), Raportuesi i PE për Kosovën, Igor Šoltes (Të Gjelbërit/EFA/SL) dhe Jaromir Kohlicek (GUE/CZ). /Telegrafi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani nje koment
Ju lutemi shkruajeni emrin tuaj ketu