Thaçi: Jemi gati të shqyrtojmë heqjen e taksës nëse Kosovës i jepet rrugë e qartë e arritjes së marrëveshjes me Serbinë

0
2

Nën presionin e administratës së Presidentit Trump dhe me premtimin e Presidentit Trump për një ceremoni paqeje, Presidenti i Kosovës është zotuar të marrë një hap të madh drejt zgjidhjes së tensioneve me kundërshtarin ballkanik, Serbinë.

Trump ka bërë një ftesë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë për liderët e Kosovës dhe të Serbisë në kohën kur armiqësitë e 10 viteve të fundit kërcënojnë të shpërthejnë në konflikt të armatosur, ndërsa administrata e tij po punon në kanale të fshehura që të ulë tensionet me Serbinë e mbështetur nga Rusia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një udhëtim diplomatik në Berlin, të pa-raportuar, muajin e kaluar, ku ka takuar ambasadorin amerikan, RichardGrenell, njeri i besueshëm i Presidentit Trump. Thaçi u zotua se do të angazhohej për ndryshimin e kursit në tarifat sanksionuese në të gjitha mallrat serbe.

Në një bisedë me “The Washington Post”, të premten, e realizuar në gjuhën angleze me shkëmbime elektronike, Thaçi u shpreh se ai është “gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.

Taksat e vëna muajin e kaluar – një hap ky që ka mllefosur Serbinë dhe Rusinë dhe ka alarmuar Bashkimin Evropian – janë shoqëruar me kërcënimet nga ana e Kosovës për të themeluar Forcat e Armatosura në kundërshtim me marrëveshjet me NATO-n, që ende mban një forcë mbrojtëse në Kosovë një dekadë pas ndarjes nga Serbia dhe formimi i shtetit sovran. Serbia asnjëherë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kryeqyteti i saj, Beogradi, ka tërhequr vërejtjen se mund të intervenojë me forca të armatosura për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit. Rusia konsideron se roli vital që SHBA ka luajtur në krijimin e këtij shteti është përzierje jolegjitime në afërsinë e saj.

“Po, taksat janë masë e jashtëzakonshme”, është shprehur Thaçi. “Pala jonë është e gatshme të gjejë zgjidhje për këtë. Gatishmëria jonë shtohet nëse ndiejmë se partnerët tanë na përkrahin dhe na udhëzojnë në këtë çështje. Nga ana ime, unë do të garantoj popullin e Kosovës se këto udhëzime dhe kjo përkrahje ekziston”, shprehu Thaçi pikëpamjen që nuk është raportuar më parë e që vjen në kohë të rreziqeve politike pas shtimit të tensioneve nacionaliste. Ai nuk mund t’i heq vetë taksat e vendosura nga Parlamenti, si dhe përballet me kundërshtime të brendshme nga Kryeministri i Kosovës, që shpeshherë shihet si rival i tij politik.

Por, Shtetet e Bashkuara e shohin hapin e tij si hap i parë drejt dhënies fund eskalimit “një për një” që është zhvilluar në muajt e fundit dhe kthim potencial në atë që duket të jenë përpjekjet më frytdhënëse në këtë dekadë drejt një marrëveshje paqësore.

“Miqtë e Kosovës dhe unë e ndajmë bindjen e qartë se përpara kemi një sfidë enorme në kuptim të bërjes së asaj që ndërgjegjja jonë na kërkon ta bëjmë dhe që është detyrë e jona historike – të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, u shpreh Thaçi.

Trump u ka dërguar letra personale liderëve të dy vendeve, muajin e kaluar, duke u kërkuar që t’u kthehen bisedimeve paqësore e duke ofruar ftesën që së bashku të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk ka folur më shumë për këtë hap, Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i kanë publikuar vetë kopjet e letrave.

“Dështimi për të shfrytëzuar këtë mundësi do të ishte kthim tragjik prapa, pasi një rast tjetër për një paqe gjithëpërfshirëse vështirë se do të shfaqet në një të ardhme të afërt”, i ka shkruar Trump liderit të Kosovës. “Ne jemi të gatshëm që të ndihmojnë përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje që balancon interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë tashmë është afër dhe e prekshme. E mirëpres mundësinë që t’ju pres ty dhe presidentin Aleksandër Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë dhe të celebrojmë atë që do të ishte marrëveshje historike”, thotë letra dërguar Thaçit.

Të dy liderët janë shprehur se letrat i kanë marrë si shenjë se Trump është i gatshëm të marrë rol më aktiv si ndërmjetësues, ndonëse zyrtarët amerikanë kanë mbajtur qëndrim të mospërzierjesdirekte.

“Për të zgjidhur çështjet komplekse e të vështira siç janë konfliktet si ky që zgjasin me gjenerata e me shekuj, kërkohet lidership i fuqishëm”, u shpreh Vuçiq në intervistë.

“Pjesëmarrja e Fuqive të Mëdha e me ndikim në rajon është e detyrueshme. Si lider i një prej kombeve më të mëdha në botë, e involvuar thellë në rajon, jam i sigurt që presidenti Trump mund të jap kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e këtij konflikti”.

Vuçiq shprehi skepticizëm se Thaçi është i sinqertë për ndryshimin e kursit rreth tarifave dhe tha se Thaçi dhe kryeministri i tij po luajnë “Polici i mirë – Polici i keq”.

“Provoni të viheni në pozitën tonë”, u shpreh Vuçiq. “Çfarë do të dëshironit ju sikur të ishit në vendin tonë? Ne dëshirojmë marrëdhëniet më të mira të mundshme, partneritet të besueshëm si dhe pak hapësirë ‘sa për të marrë frymë’ që të mund t’i shohim interesat tona. Në këmbim ne ofrojmë përkrahje të sinqertë e të besueshme për paqen dhe zhvillimin në këtë pjesë të Evropës, si dhe respekt të ndërsjellë”.

Grenell kërkoi normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi si dhe negociata direkte në mes dy vendeve në takimin me Thaçin, thotë një zyrtar amerikan. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për të drejtat e homoseksualëve në Kosovë, përshirë edhe dënimet e ulëta për rastet e dhunës kundër pjesëtarëve të komunitetit LGBT, shtoi zyrtari amerikan. Ndërsa ai nuk ka takuar individualisht Vuçiqin. Grenell ishte zëdhënës dhe këshilltar i JohnBolton në kohën kur ai ishte në Kombet e Bashkuara, në kohën e administratës së George W. Bush, ndërsa tani është Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Ai ishte komentues konservator i politikës së jashtme para se të merrte postin në Berlin, vitin e kaluar.

Thaçi u shpreh se ka marrëdhënie të afërta me ambasadorin amerikan në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, por e ka takuar Grenell ndaras si “njeriu i Trump në Evropë”. Ai ka udhëtuar në Berlin me tre ndihmës më 21 dhjetor, disa ditë pas letrës së Trump.

“Presidenti Thaçi dhe unë biseduam për rëndësinë që të merren vendime afatgjata në vend të reagimeve afatshkurta. Jam i kënaqur që ai u pajtua dhe u zotua se do të punojë t’u jepet fund taksave që janë vënë tash vonë në produktet e Serbisë”, u shpreh Grenell në një deklaratë për The Washington Post. “Ky hap do të ndihmonte të dërgohej sinjali i duhur se ai është serioz kur flet për negociatat dhe kjo ndihmon për ndërtimin e besimit në mes të palëve”.

Thaçi e quajti komunikimin e Trump “novator” dhe u shpreh se mbështetja e SHBA-së për Kosovën është vitale për të ardhmen e saj. Lindja e Kosovës më 2008 ishte projekt pas të cilit ishin dhënë me pasion shumë këshilltarë konservatorë të Bush, disa nga të cilët tani punojnë për Trump, por vetë Trump deri tani nuk kishte ndarë pikëpamje më të detajuara për konfliktin në Ballkan. Në gusht, Bolton është shprehur se Shtetet e Bashkuara nuk do të kundërshtojnë pajtimin e ndërsjellë për shkëmbim territoresh që atë kohë përmendej nga Serbia dhe Kosova si mënyrë për të arritur marrëveshjen përfundimtare.

Kjo e vë administratën Trump përballë Gjermanisë dhe disa vende tjera të BE-së që frikësohen se ndryshimi i kufijve do të mund të rihapte konfliktet që kanë përçarë Ballkanin në vitet 1990. Por fjalët për shkëmbimin e madh mes Kosovës dhe Serbisë u fashitën në vjeshtë dhe secili vend i ashpërsoi edhe më tepër qëndrimet e veta.

Kryeministri i Kosovës, RamushHaradinaj, duke shkruar në The Washington Post më 28 nëntor mbrojti taksën prej 100 për qind për mallrat serbe si masë mbrojtëse “në emër të tregtisë së lirë, sigurisë kombëtare dhe interesave kombëtare vitale”.

Trump nuk e ka përmendur çështjen e shkëmbimit të territoreve në letrën e tij, por gjuha e përdorur tregon se ai do të pranonte ndryshimin e kufijve nëse të dy palët pajtohen për këtë.

“Letra e Presidentit Trump ka bërë të qarta shumë gjëra në një situatë që deri vonë ishte e shënuar me ndjenjë në rritje të konfuzionit dhe shqetësimeve të shkaktuara nga një varg qëndrimesh, deklaratash e idesh në lidhje me Kosovën e Serbinë”, u shpreh Thaçi.

Ai kërkoi bisedime bilaterale “me SHBA-në në rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia”.

DanielVajdich, dikur këshilltar i lartë për Evropë dhe Euroazi në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan e mirëpret intervenimin e Trump.

“Ekziston një potencial, një mundësi reale, që të zgjidhet një nga kontestet territoriale të fundit të mbetura hapur në Evropë”, u shpreh Vajdich, kryesues i firmës këshilluese strategjike “YorktownSolutions” dhe anëtar i asocuar i “AtlanticCouncil”. “Interes strategjik i SHBA-së është që të gjejë zgjidhje për kontestin që Rusia e shfrytëzon për të shantazhuar Serbinë dhe ta detyrojë t’i nënshtrohet si dhe të mbajë Ballkanin përgjithmonë të destabilizuar”, thotë Vajdich. “Zgjidhja e çështjes së Kosovës do të eliminonte ndikimin e Rusisë mbi Serbinë dhe ndikimin e saj në Ballkan. Arritja e kësaj duhet të jetë ndër interesat kryesorë të SHBA-së në Evropë”.

Lajmin e plotë në gjuhën angleze mund ta lexoni KËTU/ Telegrafi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani nje koment
Ju lutemi shkruajeni emrin tuaj ketu