Gjashtë të vdekur në dy aksidente, Policia apelon për kujdes

0
14

Duke iu referuar shtimit të numrit të aksidenteve me pasoja fatale, veçanërisht dy rasteve të fundit të vetë-aksidenteve ku si pasojë vdiqën gjashtë persona, tre më 8 qershor në rajonin e Ferizajt dhe tre të tjerë në rajonin e Pejës sot, Policia e Kosovës ka apeluar te pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e veturave që të kenë kujdes të shtuar.

Policia ka kërkuar që shoferët të rrisin vigjilencën gjatë drejtimit të veturës, “sepse me veprimet e tyre, jo vetëm që po rrezikojnë jetët e tyre, por po rrezikojnë edhe jetët e pjesëmarrësve të tjerë në trafikun rrugor”.

“Duke parë që të dyja rastet e lartë përmendura janë vetë-aksidente të shkaktuara, kërkohet nga drejtuesit e automjeteve në veçanti që për të evituar rastet e tilla, të respektojnë dispozitat ligjore, sinjalistikën rrugore, t’i përshtaten kushteve të rrugës, të mos drejtojnë automjetet derisa janë në ndikim të lodhjes, gjumit apo nën ndikim të alkoolit, t’i shmangen përdorimit të telefonit gjatë ngasjes si dhe veprimeve tjera që mund të shkaktojnë rrezik dhe pasiguri gjatë drejtimit të automjetit”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.

Policia ka thënë se po vazhdon ta monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat që parasheh ligji në trafik, masa ndëshkuese ligjore po aplikohen dhe do të aplikohen në vazhdimësi me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti këtyre me pasoja fatale.

“Policia e Kosovës përveç detyrave aktive në mbajtjen rendit dhe zbatimin e ligjit, angazhime intensive me zyrtarët e saj ka edhe në menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor dhe në baza ditore shqipton rreth (1000) një mijë tiketa për kundërvajtje në trafik, prapë se prapë situata në trafikun rrugor mbetet shqetësuese dhe kërkon qasje serioze nga të gjithë, si dhe ndërmarrje të veprimeve efektive për vetëdijesim me qëllim të parandalimit të humbjes së jetëve njerëzore”, ka thënë Policia.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani nje koment
Ju lutemi shkruajeni emrin tuaj ketu