Lufta ndaj korrupsionit, kriter i vështirë për liberalizimin e vizave

0
12

Ka filluar debati parlamentar në lidhje me korrupsionin si kriter për liberalizim të vizave, e iniciuar nga deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur, Shqipe Pantina, e mbështetur edhe nga 11 deputetë nënshkrues.

Deputetja Pantina tha se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së, për shkak se Kosova ende i nënshtrohet regjimit të vizave.

Ajo tha se është mesë e domosdoshme që Kosova të ndërmarrë masat e nevojshme për të plotësuar kriterin e luftës kundër korrupsionit për liberalizimin e vizave.

“Korrupsioni si një e keqe që pasojat po i vuajmë të gjithë e përfitues janë vetëm disa, duhet luftuar dhe është problem i rënd i shoqërisë sonë, këtë luftë duhet ta bëjmë të gjithë. Luftimi i tij nuk duhet të bëhet për shkak se tashmë ai është një kusht për liberalizimin e vizave porse ky duhet të jetë synimi ynë nëse duam të funksionojmë si shoqëri e shtet i civilizuar e modern. Megjithatë tashmë është fakt se luftimi i korrupsionit është vënë edhe kusht nga institucionet e BE-së në mënyrë që të gëzojmë lëvizjen e lirë pa viza në vendet anëtare të saj”, tha Pantina, raporton KP.

Sipas saj, Kuvendi i vetëm nuk mund ta luftojë korrupsionin, por si organi më i lartë që është duhet të jetë në udhëheqës në këtë luftë duke kërkuar llogari nga institucionet që janë drejtpërdrejtë përgjegjëse.

Në emër të LDK-së, deputeti Armend Zemaj, tha se ka mungesë të rezultateve në luftimin e korrupsionit.

Ai kërkoi që Kuvendi të mos jetë vetëm debutues, por edhe insistues duke bashkërenduar aktivitetet dhe duke rritur ndikimin pozitiv.

“Ajo çka është parë dhe çka është dëgjuar kohëve të fundit tregon se këto çështje do të jenë problem në ecjen e Kosovës dhe përmbushjen e kriterit për liberalizim. Rastet e fundit, tentimi qoftë për t’i mbyllur apo edhe qoftë për t’i politizuar ato që quhen afera të mëdha korruptive nga njerëz të politikës, të implikuar në krim të organizuar, në shpëlarje të parave, në shitje të pronave, kanë lënë shije të keqe dhe do të jenë problematike edhe në imazhin, edhe në pasqyrimin edhe në ndjekjen e mëtutjeshme të rasteve që unë asnjëherë se përdori, peshqve të mëdhenj pa e dalluar korrupsionin nga baza e që quhet e imët e deri të tenderomania e madhe”, theksoi Zemaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se krimi dhe korrupsioni po e sfidon shtetin e Kosovës.

“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore të vendit tonë dhe është prioritet i vazhdueshëm i institucioneve të Kosovës. Përkundër që në të kaluarën janë ndërmarrë masa përkatëse institucione të caktuara nuk kanë treguar rezultate, diku në hetimin e diku në luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e dobët të legjislacionit i cili megjithatë është në pajtim me rregullativën e BE-së”, theksoi ai.

Krasniqi tha se Qeveria aktuale po tregon vullnet dhe përkushtim në luftën e korrupsionit, veçmas sa i përket sistemit të drejtësisë.

Deputetja e VV-së, Alblena Haxhiu, tha se sistemi i drejtësisë është ngufatur dhe i njëjti nga njerëz të pushtetit nuk e kanë lënë sistemin e drejtësisë për të vepruar.

“Duhet të thuhet hapur, binomi drejtues qeverie apo shtetit me Devollët, Zhugollët apo shumë tjerë janë pikërisht dëshmia se pse qeveritë nuk e luftojnë korrupsionin. Aq shumë është shteti i kapur dhe nuk lejojnë të luftohet krimi dhe korrupsioni. Në fakt ajo çfarë është bërë janë krijuar shumë institucione është ndarë përgjegjësia në shumë institucione, task forca, AKK-ja, prokurori, polici, arsyeja për këtë ka qenë të shpërndahet faji dhe të mos merr askush përgjegjësi në raport me luftën me krimin dhe korrupsionin”, theksoi Haxhiu.

Sipas Haxhiut në Kosovë nuk është sekret që shumë zyrtarë janë bërë milionerë brenda natës dhe as nuk janë duke u hetuar as akuzuar për veprat e tyre korruptive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani nje koment
Ju lutemi shkruajeni emrin tuaj ketu