Sekretari Amerikan i Mbrojtjes thotë se FSK duhet të bëhet Ushtri e Kosovës (Dokument)

0
5

Frikën se nën udhëheqjen e Donald Trump-it administrata amerikane do të ndryshojë politikat në Kosovë e ka shuar Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis në një dëshmi me shkrim për Senatin.

Në këtë raport, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes thekson se FSK duhet të shndërrohet në ushtri.

Ai e ka mbështetur dialogun Prishtinë- Beograd derisa ka shtuar se, njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të adresohet para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Gazeta Blic.

Në vazhdim i gjeni përgjigjet me shkrim të sekretarit të mbrojtjes për Senatin, ku flet për Kosovën:

* Përafërsisht 650 trupa amerikane kanë mbetur në Ballkan si pjesë e KFOR-it, i cili së pari u vendos në vitin 1999, dhe sot përbëhet nga një personel prej 4.600 pjesëtarve nga 30 shtete. Çfarë përpjekjesh të mëdha mendoni se kërkohen në mënyrë që të reduktohet edhe më shumë apo të eliminohet prezenca e SHBA-së dhe NATO-s në Kosovë?

 James N. Mattis: Kosova është një shembull se çfarë ndodh kur komunteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Amerika, angazhohet për të mbrojtur interesat dhe vlerat e saj.

Në përgjithësi, do të rekomandoja reduktimet konform me situatën e sigurisë në terren, por mënyra si e kuptoj, është se aktualisht, KFOR-i është vendimtar në sigurimin e stabilitetit në rajon.

Për më tepër, para se të jetë i arsyeshëm reduktimi i prezencës së trupave ushtarake amerikane, Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të pranojë urdhrin për të administruar siguri të brendshme dhe mbrojtje territoriale, një zhvendosje e cila do të kërkonte ndryshime kushtetutore me mbështetje parlamentare.

*Sipas mendimit tuaj, a mund të luajë Bashkimi Europian një rol më të rëndësishëm në Kosovë?

James N. Mattis: Po. Përpjekjet e BE-së janë esenciale në zhvillimin ekonomik dhe politik në Kosovë si dhe për stabilitetin e saj, dhe përfshirja më e madhe e saj duhet të inkurajohet.

Ajo tashmë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë duke udhëhequr normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë. Dialogu lejon të dy shtetet të ecin para me plane për anëtarësim në BE, me mirëkuptimin se njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të adresohet para anëtarësimit.

Gjithashtu, Bashkimi Europian ndihmon duke kontribuar në stabilitetin e Kosovës përmes Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani nje koment
Ju lutemi shkruajeni emrin tuaj ketu